Rezultatet e dobëta kushtojnë, Levante shkarkon sërish trajnerin

Rezultatet e dobëta në kampionat i kushtojnë vendin e punës teknikut Javier Pereira, që është shkarkuar nga klubi i Levantes. Trajneri kishte vetëm 7 ndeshje në krye të skuadrës dhe zëvendësoi Paco Lopez, që u shkarkua para tij në tetor.

3 pikë të grumbulluara në 7 ndeshje kanë qenë shumë pak për teknikun, që u punësua për të nxjerrë skuadrën nga kriza. Pas 15 ndeshjesh të luajtura në kampionat, Levante nuk ka provuar akoma shijen e fitores këtë sezon. Ja edhe njoftimi i klubit:

“Bordi drejtues i klubit të Levantes ka vendosur që të ndërpresë bashkëpunimin me trajnerin Javier Pereira. Tekniku ka marrë drejtimin e skuadrës në ndeshjen kundër Getafes dhe që nga ajo kohë e ka drejtuar Levanten në shtatë ndeshje në Laliga.

Levante falënderon teknikun për punën e bërë dhe i uron gjithë të mirat në karrierë dhe në jetën personale. Alessio Lisci do të jetë trajneri i përkohshëm i skuadrës deri në një njoftim të dytë”, shkruhet në njoftimin zyrtar të klubit spanjoll. / Oversport.tv