Rezultatet e dobëta ndikojnë, Gremio largon trajnerin e njohur

Humbja e Gremios në ndeshjen kundër Santosit në kampionatin brazilian i ka kushtuar vendin e punës teknikut Luiz Felipe Scolari.

Në orët e para të mëngjesit të kësaj të hëne, klubi brazilian ka njoftuar ndarjen me “marrëveshje të përbashkët” me ish-trajnerin e kombëtares braziliane.

Scolari ka shprehur mirënjohjen e tij ndaj klubit duke deklaruar: “Do të vazhdoj të jem një tifoz i Gremios, ashtu siç kam qënë dhe do të jem gjithmonë”.

Rezultatet e dobëta i kanë kushtuar pankinën teknikut të njohur, pasi Gremio aktualisht ndodhet në vendin e fundit në renditjen e kampionatit brazilian, në zonën që të zbret në kategorinë inferiore.

Tekniku ka fituar Kupën e Botës me kombëtaren e Brazilit në vitin 2002 si dhe Kupën e Konfederateve në vitin 2013. Ndërsa në krye të pankinës së Portugalisë, ka zënë vendin e dytë në Euro 2004.

Me Gremion, Scolari ka fituar kampionatin (1996), Kupën e Brazilit (1994) dhe Kupën Libertadores (1995). /Oversport.tv