Rezultatet nuk bindin, Leipzig dhe Jesse Marsch ndahen në paqe

Pas humbjes së 6-të në 14 ndeshje të zhvilluara në Bundesligë, klubi i Leipzig dhe trajneri Jesse Marsch kanë vendosur që të mbyllin bashkëpunimin e tyre, duke prishur me konsensus kontratën që i lidhte deri në qershor të vitit 2023.

Trajneri amerikan largohet pas vetëm 5 muajve në krye të klubit të Bundesligës. Jesse Marsch erdhi nga Salzburg për të zëvendësuar Julian Nagelsmann, që mori drejtimin e Bayern Munich.

Rezultatet e dobëta në kampionat si dhe eliminimi nga Champions League kanë sjellë pakënaqësi te drejtuesit e Leipzig dhe tashmë është arritur marrëveshja që trajneri 48-vjeçar të largohet.

Në stol, për ndeshjen e mesjavës në Champions përballë Manchester City, do të qëndrojë zëvendësi i tij, Achim Beierlorzer. / Oversport.tv