Rezultoi pozitive me doping, Federata Shqiptare e Peshëngritjes pezullon Evangjeli Velin

Kampionia e Europës, Evangjeli Veli është pezulluar nga të gjitha aktivitetet kombëtare dhe ndërkombëtare nga Federata Shqiptare e Peshëngritjes.

“I gjithë bordi ka qenë unanim. Ne i kemi thënë tashmë ‘Stop’ dopingut. Evangjeli Veli deri në përgjigjen e monstrës B, tashmë ajo është e dyshuar momentalisht, do të pezullohet nga të gjitha aktivitetet kombëtare dhe ndërkombëtare. Kjo gjë do të bëhet me dije nga Federata Botërore e Peshëngritjes, Federata Europiane e Peshëngritjes dhe Federata e Greqisë e Peshëngritjes. Kjo sportiste ka bërë stërvitje dhe ka qenë në kontakt me trajnerë dhe presidentin e Federatës së Peshëngritjes së Greqisë.

Është fenomeni i dytë që na ndodh, është hera e dytë që na ndodh, edhe në Kazakistan, edhe tashmë në Tiranë, që sportistët që stërviten në Greqi, na vijnë dhe kapen me doping.

Evangjeli Veli ka bërë 9 deri në 11 kontrolle nga VADA në mënyrë të pavarur për vitin 2022 dhe testi i fundit ka qenë gjashtë ditë para europianit. Pra, sportistja Veli ka përdorur një medikament ose ampul në momentet gjatë zhvillimit të europianit dhe mund t’ju them dhe e kam të vërtetuar që një trajner grek, Odise Dhima, ka qenë prezent në shoqërinë, në hotelin ku ka qenë të grumbulluar Evangjeli Veli, trajneri i saj dhe një sportist tjetër që kapëm pozitiv po ne, Federata Shqiptare e Peshëngritjes”, ka thënë presidenti i Federatës së Peshëngritjes, Elez Gjoza në një intervistë për “Top Channel”. / Oversport.tv