Rihapet gara për titull: Interi dhe Napoli tregojnë forcën, zhgënjen Milani

Java e 31-të të kampionatit italian, që transmetohet ekskluzivisht në Oversport dhe Tibo, ka dhuruar rezultate shumë interesante dhe tashmë është rihapur gara për titullin kampion në Serie A.

Zhgënjen Milani që nuk arrin të shkëputet në krye pas barazimit pa gola në “San Siro” përballë Bolognas, ndërsa është rifutur në garën për titull Interi, falë fitores në “Allianz” në derbin e Italisë kundër Juventusit.

Edhe Napoli ka fituar në një transfertë të vështirë si ajo e Bergamos, duke mbajtur gjallë shpresat për titullin kampion. Vetëm 1 pikë është diferenca mes Milanit dhe Napolit, ndërsa Interi është 4 pikë larg kreut, por zikaltërit kanë për të luajtur edhe një sfidë të prapambetur.

Pas disfatës në shtëpi, duket se Juventusi i ka thënë lamtumirë titullit, por për momentin vendi i katërt në renditje duket i sigurtë.

Interesante është edhe lufta për zonën europiane, pasi Roma e Lazio kanë kaluar Atalantën në tabelën e klasifikimit falë sukseseve në ndeshjet respektive.

3 skuadrat e vendeve të fundit në renditje (Salernitana, Genoa, Venezia) kanë humbur ndeshjet respektive, duke zvogëluar ndjeshëm shanset për mbijetesë.

Cagliari dhe Sampdoria janë ato që ndiejnë më shumë presionin e rënies, ndërsa Spezia ka hedhur një hap të madh drejt mbijetesës falë fitores përballë Venezias. / Oversport.tv