Rikthehen emocionet e “Abissnet Superiore”, 3 takime sot live në Oversport dhe Tibo

Pas pushimit të kombëtareve, “Abissnet Superiore” rikthehet sërish në ekranet e Oversport dhe platformës Tibo. Sot luhen 3 takime interesante që do të ngrenë siparin për javën e 27-të.

Në orën 15:00 do të luhen dy takime në Veriun e Shqipërisë si Kukës-Egnatia dhe Vllaznia-Bylis, ndërsa në orën 18:00 luhet takimi Teuta-Partizani.

Skuadra e Hallaçit dhe Tetovës vijnë nga një barazim që kanë marrë javën e 26-të. Kukësi momentalisht gjendet në vendin e gjashtë të renditjes, ndërsa Egnatia në vendin e tretë me 6 pikë larg kryesuesve.

Në ndeshjen tjetër, në stolin e Vllaznisë do të bëjë debutimin tekniku Miloti i cili kërkon të rikthejë shkodranët te triumfi. Nga ana tjetër, Bylisi pozicionohet në vendin e parafundit dhe çdo pikë do t’i rriste shpresat për qëndrimin në Superiore.

Në orën 18:00, stadiumi “Niko Dovana” do të ndezë dritat për të pritur takimin Teuta-Partizani. Durrsakët gjenden në një situatë të paqëndrueshme, sepse në tre javët e fundit kanë vetëm barazime dhe momentalisht ndodhen në vendin e 7-të.

Nga ana tjetër, “demat e kuq” kanë marrë kreun e kampionatit shqiptar përpara pushimit të kombëtareve duke mundur Kastriotin me shifrat 4-1. Një fitore ndaj Teutës do të mbante Partizanin në vendin e parë të “Abissnet Superiore”. /oversport.tv