Rikthehet derbi, Dinamo dhe Partizani masin forcat në Elbasan

Java e katërt e Abissnet Superiore do të nisë me një superndeshje, me derbin Dinamo-Partizani, që mungon në futbollin shqiptar prej më shumë se një dekade.

Rikthehet derbi i kryeqytetit, por këtë radhë nuk do të luhet në Tiranë, por në “Elbasan Arena”, aty ku dy skuadrat do të masin forcat në orën 19.45.

Dinamo ka nisur shumë mirë sezonin, duke grumbulluar 5 pikë në tre ndeshjet e para të kampionatit dhe aktualisht e sheh veten në vendin e dytë në tabelën e klasifikimit.

Blutë e kryeqytetit kanë ambicje të mëdha këtë sezon dhe deri më tani skuadra e drejtuar nga Shkëmbi është shfaqur në nivele të larta. Dinamo kërkon të vazhdojë serinë e rezultateve pozitive edhe në përballjen e sotme kundër rivalëve të Partizanit.

Të besuarit e Ilir Dajës nuk po kalojnë ditët e tyre më të mira. Partizani akoma nuk ka arritur të fitojë në këtë sezon, duke grumbulluar vetëm 2 pikë në tre takime të luajtura.

“Të kuqtë” kërkojnë të lënë pas krahëve këtë moment jo të mirë, duke synuar kthesën në derbin e sotëm kundër Dinamos.

Spektakli është i garantuar në këtë derbi, pasi si Dinamo edhe Partizani do të japin maksimumin për të arritur një fitore përballë një rivali historik. / Oversport.tv