Rikthehet Guindo “i vjetër”, 9 gola në 7 ndeshje radhazi

Në merkaton e janarit, u rikthye përsëri te Laçi ai që sezonin e kaluar u largua nga kurbinasit duke marrë me vete edhe trofeun e ‘Këpucës së artë’ si golashënuesi më i mirë i kampionatit me 20 rrjeta të tundura. Sulmuesi nga Mali, Saliou Guindo e njihte mirë ambientin kurbinas dhe të gjithë kishin besim se do të ishte një vlerë e shtuar në ekip dhe do të bënte diferencën në fazën ofensive.

Në përballjet e para Guundo nuk po tregonte formën e tij më të mirë, ndoshta skuadra që ai la nuk ishte e njëjta me atë që rigjeti dhe do të duhej të përshtatej. Gjithsesi diçka e tillë nuk vonoi shumë. Sulmuesi po u jep përgjigje të gjithë skeptikëve që menduan se ai ishte shumë larg nga futbollisti që kishin parë vitin e kaluar.

Për momentin ai renditet në vendin e 5 të klasifikimit të golashënuesve më të mirë të kampionatit shqiptar pas Hasanit, Xhixhës, Nonatos dhe Skukës. 9 gola të realizuar deri më tani, por ka një statistikë të veçantë që konfirmon momentin e mirë të tij. Ka plot shtatë ndeshje radhazi që lojtari nga Mali shënon dhe i ka dhënë pikët skuadrës së tij.

Fillimisht ndaj Kukësit, më pas ndaj Tiranës, për të vazhduar me dygolësh ndaj Vllaznisë. Kastrioti dhe Teuta janë ekipet e radhës, prapë dygolësh ndaj Partizanit dhe së fundmi rrjeta ndaj Egnatias. Gola që padyshim përkthehen në pikë për kurbinasit.

Padyshim që tani mund të themi që Laçi është i blinduar në sulm, edhe për faktin se është kthyer në formën më të mirë edhe Vasil Shkurtaj. Të dy bashkë kanë filluar që të luajnë nga minuta e parë dhe të kombinohen mjaft mirë me njëri-tjetrin. 6 gola nga vendi i parë, Guindo pse jo do të luftojë që ndjesinë e golashënuesit ta përjetonte edhe njëherë tjetër. /oversport.tv