Rikthehet një klasike si Teuta-Dinamo, Tirana kërkon të tregojë forcën përballë Kastriotit

Java e tretë e “Abissnet Superiore” do të nisë sot me sfidat Kastrioti-Tirana dhe Teuta-Dinamo që do të luhen në orën 13.45.

Stadiumet mbeten një problematikë konstante në futbollit shqiptar, prandaj edhe këtë sezon shumë skuadra janë të detyruara të shtegtojnë kur luajnë si pritëse.

Nëse për Kastriotin, stadiumi i Kamzës është kthyer në “shtëpi”, këtë fillim sezoni edhe Teuta detyrohet të luajë larg “Niko Dovanës” dhe sot kundër Dinamos do të luajë në Rrogozhinë në “Arena Egnatia”.

Takimi Teuta-Dinamo është padyshim përballja më interesante e ditës së sotme. Të dyja skuadrat kanë nga 4 pikë pas 2 javëve kampionat dhe kanë pretendime të mëdha këtë sezon.

Kampionët në fuqi të Teutës, treguan forcë karakteri në Shkodër javën e kaluar, ku barazuan 1-1 përballë Vllaznisë edhe pse luajtën një pjesë loje me një lojtar më pak. Todorovski i skualifikuar do të mungojë kundër Dinamos.

Kryeqytetasit kanë një skuadër simpatike, që ka synime të mëdha këtë sezon. Një gol i Laçit në minutat e fundit të takimit javën e kaluar, i mohoi fitoren e dytë radhazi në kampionat skuadrës së drejtuar nga Shkëmbi.

Kastrioti është skuadra e vetme e kampionatit shqiptar që nuk ka provuar akoma shijen e pikëve. Krutanët kërkojnë të reagojnë ndaj Tiranës, duke synuar pikë me vlera në luftën për mbijetesë.

Miqtë mbeten një nga skuadrat favorite për fitimin e titullit, ndonëse bën një hap fals në “Selman Stërmasi” përballë Egnatias në ndeshjen e kaluar. Të besuarit e Shehit synojnë tre pikët, në transfertën e sotme, që të mos humbasin kontaktin me kreun e renditjes. /Oversport.tv