Rikthehet Superiorja në Oversport dhe Tibo, favoritët zbresin në fushë

Do të luhen ditën e sotme tre takime të javës së 17-të të kampionatit shqiptar, që do të transmetohen live dhe ekskluzivisht në Oversport dhe Tibo.

Partizani kërkon të harrojë humbjen përballë Vllaznisë, duke synuar kthesën në sfidën ndaj Kastriotit, që do të luhet në orën 13:00 në Kamëz. “Demat” synojnë maksimumin e pikëve përballë krutanëve, që të ruajnë vendin e parë në renditjen e Superiores.

Në orën 16:00 në ekranin e Oversport do të vijnë 2 sfida të tjera shumë interesante të “Abissnet Superiore”. E frymëzuar nga suksesi përballë Partizanit, Vllaznia kërkon një tjetër trepikësh përballë Laçit në “Loro Boriçi”, që ti afrohet akoma më shumë kreut të renditjes. Blerja e bujshme e shkodranëve, Bekim Balaj pritet të debutojë në sfidën e sotme. Pas dy humbjeve radhazi në kampionat, Laçi kërkon të reagojë në transfertën e sotme në Shkodër.

Tirana kërkon fitoren e dytë radhazi (në kampionat) në vitin 2023 në sfidën ndaj Bylisit në “Air Albania”. Bardheblutë kërkojnë të shfrytëzojnë momentin e mirë që po kalojnë, që të shtojnë presionin ndaj rivalëve të Partizanit. Mallakastriotët kanë nevojë për pikë, prandaj do të mundohen të bëjnë surprizën në transfertën e sotme në kryeqytet.

Të treja takimet mund ti ndiqni live në Oversport dhe Tibo, por për tu informuar me të rejat më të fundit nga skuadrat e elitës ndiqni emisionin “Ti Bo Gol”, që do të startojë në orën 12:00. Analiza, komente dhe intervista me protagonistët e ndeshjeve do të vijnë live në ekranin e Oversport. / Oversport.tv