Ringjallet në shtesë Juventusi, Cuadrado e nderon ndaj Fiorentinës

Juventusi rikthehet te fitorja pas tre ndeshjeve në kampionat. Bardhezinjtë mposhtën skuadrën e Fiorentinës me një gol të Juan Cuadrados, shënuar në minutën e parë shtesë.

Ekipi Vjollcë bëri një pjesë të parë më të mirë dhe mund të kishte kaluar në epërsi me anë të Saponara. Vlahovic gjithashtu tentoi me kokë të realizonte, por pa sukses.

Asnjë gol në 45 minutat e para, që u mbyllën me një pretendim për penallti që u hodh poshtë nga VAR. Në të dytën Juventusi reagoi dhe fillimisht rrezikoi me Alvaro Morata.

Në minutën e 72-të Milenkovic u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe Fiorentina mbeti me një lojtar më pak. Juventusi e kishte detyrim të sulmonte për golin e avantazhit.

Federico Chiesa tronditi traversën në minutën e 76-të me një goditje fluturimthi, kurse Morata pesë minuta më pas e çoi topin në rrjetë. Gjithsesi goli nuk ishte i rregullt, pasi spanjolli ishte në pozicion jashtë loje.

Cuadrado në shtesë ia doli të shënonte golin e fitores për Juventusin, që shkon në kuotën e 18 pikëve, po aq sa Fiorentina që renditet në vendin e shtatë me golaverazh më të mirë.

SERIE A – JAVA 12
Juventus-Fiorentina 1-0
Shënues:
Cuadrado 91’

/ oversport.tv