Rinovimet e Brozovic dhe Perisic, ndryshon situata tek Interi

Ka ndryshuar rrjedha e ngjarjeve në kampin zikaltër për sa i përket rinovimeve të Marcelo Brozovic dhe Ivan Perisic. Kohët e fundit është raportuar se për rinovimin e Brozovic ka një ngërç për sa i përket kërkesës dhe ofertës. Ndërkohë, largimi i Perisic dukej si diçka e sigurt.

Megjithatë, La Gazzetta dello Sport raporton të kundërtën. Prestigjiozja italiane ka botuar sot një artikull ku thuhet se të dy kroatët kanë vendosur të qëndrojnë tek Interi. Për sa i përket Brozovic, babai që është njëkohësisht edhe agjenti i tij, është pranë marrëveshjes me Beppe Marottan për një rinovim deri në vitin 2025 me 5.5 ose 6 milionë euro në sezon.

Ndërkohë, Perisic që shikohej si një lojtar i larguar në verën e ardhshme për në Gjermani, duket se ka ndryshuar mendim. Kroati tjetër, është i hapur për një kontratë të re me zikaltërit. Ai dëshiron një rinovim tre vjeçar me një pagë rreth 5 milionë euro në sezon. /oversport.tv