Rinovimi me Torinon duket larg, Belotti kërkon hapin e madh në karrierë

Negociatat mes Andrea Belottit dhe Torinos kanë mbetur në vend. Kontrata aktuale e sulmuesit skadon në fund të sezonit, por largimi i tij mund të vijë që në merkaton e janarit.

Sipas “Tuttosport”, “gjeli” nuk do të vazhdojë më aventurën e tij me skuadrën “granata”. Këtë lajm e ka konfirmuar edhe presidenti i Torinos, Urbano Cairo, duke u shprehur se lojtari nuk është i gatshëm për rinovim kontrate.

“Ai nuk ka nënshkruar dhe ndoshta nuk do e bëjë kurrë. Unë i bëra një ofertë që shkoi përtej mundësive të klubit, por nuk mund ta detyroj atë të bëjë asgjë “, deklaroi Cairo për mediat.

Sulmuesi i kombëtares italiane ka nisur të mendoj për një transferim në Milano, me kuqezinjtë të cilët duken klubi më i interesuar.

Milani ka nevojë për një zëvendësues të Zlatan Ibrahimovic, pasi kontrata e suedezit përfundon në verë. Belotti është alternativa më e mirë, por mbetet për t’u parë nëse transferimi i tij do të provohet në janar apo në verë.

Sidoqoftë, nëse ai nuk rinovon, Torino mund ta shesë në merkaton e dimrit për të mos e humbur me parametra zero.

Bisedimet mes dy klubeve nuk kanë nisur ende, megjithatë sipas “Tuttosport”, Belotti është i destinuar të bashkohet me Milanin. / Oversport.tv