Roberto Mancini drejt largimit, Italia zgjedh 2 trajnerë për ta zëvendësuar

“Projekti Mancini do të vazhdojë. Jam i hapur ndaj kritikave, por nuk ka skenarë të tjerë. Madje as politikë”. Kështu u shpreh Gabriele Gravina, në një nga netët më të errta të historisë së Italisë pas eliminimit në “play off” nga Maqedonia e Veriut.

Gjithashtu, fjalët e Roberto Mancinit: “Nuk është koha për të folur për të ardhmen pas këtij zhgënjimi”, hedhin hije dyshimi se e ardhmja e tij mund të jetë larg kombëtares italiane. Në fjalët e Gravinës u vu re qartë vullneti për të vazhduar më tej me teknikun Mancini, por ky nuk është një skenar vetëm në dorën e presidentit të Federatës Italiane të Futbolli.

Kontrata e Mancinit aktualisht skadon në vitin 2024, por mundësia që ai të japë dorëheqjen është e lartë. Për rrjedhojë, Italisë i nevojitet një Plan B, që mund të vijë shumë shpejtë. Me finalen kundër Argjentinës që do të zhvillohet më 1 qershor, në rast se largohet Mancini, Italia do të jetë edhe në luftë me kohën.

Një opsion mund të jetë rikthimi i një legjende në stol. Bëhet fjalë për atë që ka ngritur pikërisht trofeun e fundit të Italisë në një kampionat botëror, Fabio Cannavaro. Edhe pse konsiderohet një bast, ai pritet të ketë pas vetes edhe Marcello Lippin, trajnerin e fundit që i dha triumfin Italisë në “Gjermani 2006”. /oversport.tv

Foto: Nazionale Italiana di Calcio, Facebook