Rocchi: Së shpejti dalin audiot e VAR-it, ja dënimi për Roma-Milan

Pro apo kundër VAR? Ky është bërë tashmë një diskutim i cili javë pas jave, në kampionate të ndryshme merr jetë në varësi të episodeve që ndodhin, së fundmi, ka folur dizenjatori i arbitrave në Serie A, Gianluca Rocchi.

“Arbitrat e rinj janë të mirë, por duhet t’u japim kohë dhe duhet të investojmë tek ato, pasi nevojitet një ndërrim gjenerate. Le ta konsiderojmë si ‘viti zero’. VAR? Shumë shpejt do të publikohen audiot e komunikimit në VAR, sepse nuk kemi asgjë sekrete.

Është e rëndësishme që të kuptohet se si bëhet komunikimi me sallën në VAR dhe kur. Mund të jenë gjëra pa rëndësi, mirëpo tregojnë vullnetin e mirë të arbitrave”, ka deklaruar Gianluca Rocchi.

Nuk mund të mungonte një koment edhe për arbitrimin dhe episodet në ndeshjen Roma-Milan, gjykuar nga Fabio Maresca. “Nuk më pëlqeu administrimi i ndeshjes, jo vetëm një episod i vetëm. Në lidhje me këto, Fabio nuk ishte në formë.

Megjithatë, mund të ndodhë edhe një mbrëmje e errët. Më ka ndodhur edhe mua. Do të bëjë një kalim në Serinë B e më pas do të rikthehet në A”, përfundoi dizenjatori i arbitrave në Itali./Oversport.tv