Rodrygo dhe Benzema përmbysin Manchester City, Reali në finalen e Parisit

Reali i Madridit ka treguar se nuk vdes kurrë dhe ka dhuruar një tjetër përmbysje të çmendur në këtë edicion të Champions League. Spanjollët kanë mposhtur 3-1 Manchester City në kohën shtesë dhe kanë siguruar një vend në finalen e madhe të Parisit, ku do të kenë përballë Liverpool.

U duk se Reali do ti thoshte lamtumirë turneut, pasi City kryesonte 1-0 në “Bernabeu” deri në minutën e 90-të. Rodrygo shënoi një dygolësh në minutat e fundit dhe çoi sfidën në shtesë, pasi rezultati i përgjithshëm shkoi 5-5.

I zakonshmi Benzema shënoi edhe golin e tretë për madrilenët në shtesë dhe pas 120 minutave lojë, Reali preu biletën për në finalen e madhe, duke eliminuar nga kompeticioni skuadrën e Guardiolës.

Ka qenë një pjesë e parë e ekuilibruar në “Bernabeu” mes Real Madrid dhe Manchester City. Të dyja skuadrat luajnë me shumë kujdes në 45 minutat e para, duke patur një vëmendje të shtuar në fazën mbrojtëse.

Spanjollët shfaqen rrezikshëm me të zakonshmit Benzema dhe Vinicius, por rastet më të pastra në fraksionin e parë të lojës i ka City, që i afrohet golit me Bernardo Silva dhe Foden, por Courtois i ka ndalur 2 tentativat e tyre. Frika mbizotëron në pjesën e parë, që mbyllet me rrjeta të paprekura 0-0.

Reali duhet të shënojë që të mbajë gjallë shpresat për një vend në finale dhe nis vrullshëm pjesën e dytë. Provon Vinicius Junior, por gjuajtja e tij përfundon jashtë. Minutat kalojnë dhe fillon të ndihet tensioni në kampin spanjoll. Ancelotti shton forcat në sulm dhe hedh në fushë Rodrygo.

Reali hidhet në sulm në kërkim të golit, por janë anglezët ata që zhbllokojnë ndeshjen. Bernardo Silva vallëzon në fushë dhe pason për Mahrez, që dërgon topin në rrjetë. 0-1 dhe tashmë kualifikimi bëhet një mision i pamundur për Realin, pasi kanë mbetur edhe 15 minuta lojë.

Spanjollët përpiqen të reagojnë, por skuadra duket e pafuqishme dhe është shumë larg atyre paraqitjeve që ka bërë këtë sezon në Champions. Madje është City që i afrohet golit të dytë me Joao Cancelo, por Courtois ruan të paprekur portën e tij. Jack Grealish ka dy mundësi të njëpasnjëshme për të mbyllur sfidën, por nuk tregohet i saktë.

U duk se kjo sfidë mbaroi, por Reali tregon se nuk vdes kurrë. Rodrygo barazon shifrat në minutën e 90-të dhe në aksion pasardhës shënon sërish, duke përmbysur gjithçka. 2-1 për spanjollët dhe rezultati i përgjithshëm shkon 5-5. Nuk ka më kohë dhe duhet të luhen edhe 30 minutat shtesë, që të përcaktohet skuadra që do të shkojë në finalen e madhe të Parisit.

Ruben Dias shkakton një faull në zonë dhe për gjyqtarin Orsato nuk ka dyshime: penallti për Realin. Benzema nuk gabon nga pika e bardhë dhe çon në 3-1 rezultatin e sfidës. City mundohet të reagojë dhe i afrohet golit në fund të shtesës së parë, por Thibaut Courtois nuk lejon që gjuajtja e Phil Foden të shkojë në rrjetë. Reali fluturon drejt Parisit ku do të ndeshet me Liverpool në finalen e 28 majit, ndërsa City mbyll këtu aventurën në Champions. / Oversport.tv

Foto: Real Madrid C.F. Twitter

Champions League-Gjysmëfinale / Ndeshja e kthimit

Real Madrid- Manchester City 2-1 (3-1 pas kohës shtesë)

Rodrygo 90’, 90+1, Benzema 95’ /Mahrez 73’