Roma finalizon transferimin e parë të verës, mesfushori francez do të vishet verdhekuq

Merkatoja në Romë ka nisur që tashmë pasi verdhekuqtë janë shumë afër nënshkrimit me një mesfushor. Bëhet fjalë për 24-vjeçarin e Olympique Lyon, Houssem Aouar që pritet të veshë fanellën e Romës duke filluar që nga sezoni i ardhshëm.

Lajmin e bën të ditur prestigjiozja italiane “Corriere dello Sport”. Kontrata e Aouar me Lyon skadon këtë sezon dhe palët nuk kishin arritur në marrëveshje për rinovimin.

Destinacioni i radhës për francezin tashmë pritet të jetë Roma, aty ku do të përfitojë një rrogë prej 2.5 milionë euro. Verdhekuqtë kanë fituar duelin me Milanin që ndiqnin prej kohësh mesfushorin e Lyon.

Aouar regjistron këtë sezon me Lyon në të gjitha kompeticionet 16 paraqitje, duke realizuar një gol dhe një asist. /oversport.tv

Foto: Olympique Lyonnais – OL, Facebook