Roma fiton me goleadë, zhgënjejnë Lazio dhe Napoli

Kompeticioni i dytë më i rëndësishëm i Uefa-s, Europa League, hapi sezonin e ri me përballjet e para të grupeve, ku nuk munguan befasitë.

Skuadrat e Serie A kanë ngecur që në start. Lazio nuk ia doli të merrte qoftë minimumin përballë Galatasaray. Një gabim i portierit shqiptar Thomas Strakosha, vulosi fatet e takimit në favor të klubit turk.  Në këtë takim u aktivizua dhe sulmuesi i Kosovës Vedat Muriqi, në fraksionin e dytë të lojës, por pa lënë gjurmë ndaj një kundërshtari që e njihte mirë.

Në anën tjetër, Napoli i Luciano Spalleti-t u ndal në barazim përballë rivalëve anglezë të Leicester City. Në “King Poëer Stadium”, “axurrët” vinin si favoritë për kreun e grupit, por fusha foli ndryshe me “Dhelprat” që rezultoi kockë e fortë.

Leicester ishte në avantazh të dyfishtë deri në minutën e 64-të me Ayoze Perez dhe Harvey Barnes, deri kur Osimhen vulosi baraspeshën me një dopietë (69’, 87’) për ti dhënë Spalletit një pikë në këtë përballje të vështirë.

Roma mori një fitore të lehtë përballë CSKA Sofia në Konferencë Ligë. Verdhekuqtë realizuan manita përballë modestëve bullgarë. 5-1 rezultati përfundimtar, dhe Jose Mourinho merr 3 pikët e para duke u renditur në krye të grupit C.