Roma “mbretëresha” e merkatos në Serie A, Juventus ngel në klasë

Merkatoja është mbyllur zyrtarisht dhe deri në janar skuadrat e Serisë A do të vazhdojnë me organikën aktuale, me transferimet e kryera, të mira apo jo, kjo mbetet për t’u parë. Tashmë është ora e bilanceve dhe mes atyre që shkëlqejnë janë dy emra: Roma dhe Milan.

Dëshira për të investuar dhe për t’i vënë në dispozicion Mourinho një skuadër kompetitive e bëjnë Romën të parën e klasës në këtë sesion merkatoje. Abraham, blerja më e shtrenjtë në historinë e klubit verdhekuq, po tregon se është i denjë për shifrën e shpenzuar. Shomurodov, Rui Patricio dhe Matias Vina po bindin dita ditës.

Largimet e Donnarumma dhe Calhanoglu kanë mërzitur tifozët kuqezi, por afrimet e reja duket se po bindin. Maignan, duket blerje e goditur. Bakayoko dhe Florenzi janë të afirmuar, ashtu si Giroud.

Kushedi si ndihet Max Allegri, tashmë që i mungon Cristiano Ronaldo në skuadër dhe një mesfushë ku mungon lojtari i cilësisë, si Pjaniç. Ka ardhur Locatelli, që duhet të tregojë se sa vlen, si dhe dy sulmuesit Kean dhe Kaio Jorge. Emra që vështirë të zëvendësojnë portugezin që të garantonte shumë gola në sezon.