Roma mbyll sfidën për 13 minuta, Bajrami shënon golin e 5-të në Serie A

Roma merr një fitore të rëndësishme në transfertë përballë Empolit dhe ngjitet në vendin e gjashtë në renditjen e Serie A. Verdhekuqtë e Mourinhos mposhtin 4-2 toskanët, falë një pjese të parë të shkëlqyer, ku shënojnë 4 gola.

Roma ul ritmin në pjesën e dytë dhe Empoli reagon duke shënuar 2 gola, që nuk ndikojnë në rezultatin final. Nedim Bajrami ka qenë sërish protagonist për skuadrën e Empolit, pasi ka shënuar një gol shumë të bukur, të 5-in në këtë sezon të Serie A.

Pjesa e parë nuk ka histori. Roma dominon dhe i afrohet golit me Abraham dhe Zaniolo. Brenda 13 minutave verdhekuqtë arrijnë të shënojnë 4 gola. Abraham shënon një dygolësh, ndërsa Sergio Oliveira dhe Zaniolo realizojnë dy golat e tjerë.

Roma ul ritmin në pjesën e dytë dhe tashmë është Empoli skuadra që dominon. Vendasit shënojnë golin e parë të sfidës me Pinamontin. Bajrami provon në disa raste që të gjejë rrugën e rrjetës dhe arrin që të shënojë në minutën e 72-të të sfidës.

2-4 dhe Empoli nis të shpresojë. Pinamonti dhe Bajrami rrezikojnë sërish, por nuk arrijnë që të shënojnë.

Përfundon 4-2 për Romën në “Castellani”. Verdhekuqtë marrin tre pikë me peshë që i afron tek objektivat sezonalë, ndërsa Empoli ka humbur shkëlqimin e vitit të kaluar dhe tashmë është në rënie të lirë. / Oversport.tv

Itali – Serie A – Java e 23-të

Empoli-Roma 2-4

Pinamonti 55’, Bajrami 72’ / Abraham 24’, 33’, Sergio Oliveira 35’, Zaniolo 37’