Roma në krizë, Venezia përmbys gjithçka dhe merr tre pikët

Roma ka pësuar një tjetër humbje në Serie A, këtë herë kundër Venezias me rezultatin 3-2. Ekipi kryeqytetas nuk arriti dot të përfitojë nga avantazhi i pjesës së parë dhe u përmbys nga Venezia pas një paraqitjeje katastrofë në pjesën e dytë.

Sfida nisi me një gol të shpejtë të shënuar nga Mattia Caldara. Mbrojtësi i Venezias e çoi rezultatin në 1-0 pasi shfrytëzoi mjaft mirë me kokë një krosim të Aramu.

Megjithatë, po në pjesën e parë, Roma përmbysi gjithçka në minutat e fundit. Një trazirë në zonë u shfrytëzua mjaft mirë në zonë nga Shomurodov që barazoi rezultatin. Ndërkohë, Tammy Abraham shënoi golin e përmbysjes pak sekonda përpara përfundimit të pjesës.

Në pjesën e dytë, Roma hyri me hapin e gabuar. Venezia gjeti golin e barazimit në minutën e 65 falë një 11-metërshi që u kthye në gol nga Aramu. Për të përmbysur gjithçka mendoi Okereke që i vetëm me Rui Patricion shënoi golin që i çoi shifrat në 3-2.

Kështu Roma ka pësuar humbjen e dytë radhazi pas asaj ndaj Milanit. Tashmë, ekipi i Mourinhos ndodhet në vendin e pestë, por mund të parakalohet nga Lazio që do të luaj në orën 18:00 ndaj Salernitanës. /oversport.tv

SERIE A-JAVA E 12-TË
VENEZIA-ROMA 3-2
Shënues:
Caldara 3’, Aramu (pen) 65’, Okereke 74’/ Shomurodov 43’, Abraham 45+2’