Roma shuan zërat për të ardhmen e Zaniolos, me një video në rrjetet sociale

Nikolo Zaniolo është synimi i radhës për Juventusin. Pas deklaratave të drejtorit të Romës, Tiago Pinto i cili u shpreh se nuk kishte siguri nëse 22-vjeçari do të vijonte të luante me verdhekuqtë edhe sezonin e ardhshëm, janë shtuar zërat për kontakte mes bardhezinjve dhe italianit.

Mirëpo, pas të gjithë këtyre zërave të merkatos, që e tregojnë anësorin verdhekuq si një nga synimet kryesore të Juventusit në merkaton e ardhshme, Roma ka zgjedhur rrjetet sociale për të dhënë një përgjigje.

Duke postuar foto dhe video të Zaniolos, duke buzëqeshur e biseduar shumë ngrohtësisht me Murinjon, verdhekuqtë kanë dashur të japin mesazhin se sa beson trajneri te djaloshi italian. Të paktën për momentin duket se Murinjo do ta shfrytëzojë formën e 22-vjeçarit.

Zaniolo është në kontratë me Romën deri në verën e vitit 2024 dhe kjo bën që te Roma të kenë qetësinë e duhur, pasi ka mjaftueshëm kohë për të diskutuar me lojtarin dhe agjentin e tij. / Oversport.tv