Roma turpërohet në “Olimpico”, Sassuolo merr fitoren e tretë radhazi në kampionat

Roma zhgënjen në “Olimpico”, pasi mposhtet 4-3 nga Sassuolo dhe humb një mundësi të artë për tu ngjitur në vendin e dytë në renditje. Kumbulla bëhet protagonist për keq në këtë sfidë, pasi ndëshkohet me karton të kuq në fund të pjesës së parë, pas një ndërhyrjeje të gabuar në zonë.

Sassuolo nis shumë mirë ndeshjen dhe shtang Romën në “Olimpico”, duke shënuar dy gola për 5 minuta me sulmuesin francez Laurienté. Roma mundohet të reagojë dhe arrin të rihapë ndeshjen me Zalewskin. Por, para përfundimit të pjesës së parë bëhet protagonist për keq mbrojtësi kuqezi Marash Kumbulla, që pengon në zonë Berardin dhe largohet nga fusha me karton të kuq. Sulmuesi i Sassuolos (Berardi) nuk gabon nga pika e bardhë dhe shënon golin e tretë për miqtë, që mbyllin pjesën e parë në avantazh të dyfishtë.

Mourinho hedh në fushë sapo fillon pjesa e dytë Dybalan, që shënon menjëherë një gol shumë të bukur, duke rihapur edhe njëherë sfidën. I menjëhershëm reagimi i Sassuolos, që godet traversën me Berardin. Ndonëse në inferioritet numerik, Roma hidhet në sulm në kërkim të golit të barazimit, por verdhekuqtë lënë shumë hapësira mbrapa dhe ndëshkohen sërish nga Sassuolo, që shënon dhe golin e katërt me Pinamontin.

Roma mundohet të reagojë sërish me Dybala, por Consigli i mohon golin talentit argjentinas. Wijnaldum shënon golin e tretë në minutën e pestë shtesë, por pavarësisht përpjekjeve, është shumë vonë dhe Roma nuk arrin që të evitojë humbjen. Sassuolo merr fitoren e tretë radhazi në kampionat dhe ngjitet në kuotën e 33 pikëve në klasifikim. / Oversport.tv