Roma turpërohet nga Bodo/Glimt, humb edhe Tottenhami ndaj Vitteses

Roma është turpëruar në Uefa Conference League nga modestët e Bodo/Glimt duke humbur kështu edhe vendin e parë në renditje. Ekipi i Mourinhos është mposhtur me rezultatin e thellë 6-1, në një mbrëmje magjike të norvegëve. Festën e nisi Botheim që në fillimin e takimit duke e çuar rezultatin në 1-0. Për të dyfishuar rezultatin mendoi Berg që shfrytëzoi mjaft mirë një pas të Botheim.

Ishte Carles Perez ai që ngushtoi rezultatin për Romën duke dhënë edhe idenë e një përmbysjeje, por pjesa e parë u mbyll me rezultatin 2-1.

Pjesa e dytë ishte një katastofë akoma më e madhe për Romën që pësoi përsëri në minutat e para me Botheim. Më pas Solbakken dhe Pellegrino e çuan rezultatin në 5-1. Vulën e turpit e vendosi përsëri Botheim që shënoi edhe golin e tretë personal duke e marrë topin në shtëpi.

Humbje ka pësuar edhe Tottenham me rezultatin minimal 1-0. Anglezët nuk ishin në ditën e tyre më të mirë sot duke regjistruar vetëm një goditje në portë. Ndërkohë për vendasit ishte goli i Wittek ai që i dha tre pikët.

Në ndeshje të tjera Rennes mundi ekipin e Mura me rezultatin 2-1.Golat e Guirassy dhe Laborde mjaftuan për francezët që të ktheheshin në shtëpi me tre pikë. Fitore arriti edhe Feyenoord 3-1 kundër Union Berlin. Johanbakhsh, Linssen dhe Sinisterra shënuan për holandezët që mbajnë kështu kryesimin e grupit me shtatë pikë. /oversport.tv