Roma zyrtarizon rinovimin e kapitenit, bëhet lojtari i dytë më i paguar në ekip

Tashmë është zyrtare, Lorenzo Pellegrini ka rinovuar kontrantën me Romën. Kapiteni i cili mori shiritin në sezonin e kaluar, do të vazhdojë të veshë fanellën e Romës edhe për 5 vitet e ardhshme, deri në vitin 2026.

Ai pritet të përfitoj katër milionë euro plus bonuse, duke e bërë atë lojtarin e dytë me rrogën më të lartë në skuadër pas Tammy Abraham.

Pas zyrtarizimit buzëqesh edhe Mourinho i cili sipas mediave italiane ishte një nga faktorët kryesor që çoi në rinovimin e Pellegrini. Nën drejtimin e Mourinho, kapiteni i Romës po zhvillon një sezon fantastik duke marrë edhe shumë elozha nga trajneri i tij.

Pas rinovimit ka reaguar edhe vetë Pellegrini i cili është shprehur mjaft i lumtur për marrëveshjen e arritur: “Është e pamundur të shpjegosh këtë emocion, është ajo që kam dashur gjithmonë. Ishte koha për t’u lidhur me ekipin e qytetit tim. Nuk mund të ndieja një emocion më të madh se ky. Jam vërtet krenar që presidentët, drejtori sportiv dhe trajneri më kanë bërë gjithmonë të ndihem i rëndësishëm”.