Braziliani Ronaldo ka qenë një ndër yjet më të mëdha të futbollit botëror. Ai ka luajtur me Milanin, Real Madrid dhe Barcelonën.
Fenomeni ishte i njohur për cilësitë e tij dhe shpejtësinë e tij dhe dy herë fituesi i Botërorit beson se Mbappe ka cilësi të ngjashme me atë.
Kur 44-vjeçari u pyet nëse ka ndonjë futbollist në futbollin e sotëm që i ngjason atij, ai u përgjigj për sulmuesin e Paris Saint Germain.
“Ai ka cilësi të njëjta me mua”, deklaroi Ronaldo. “Ai ka cilësi të admirueshme, ka një teknikë të adhurueshme dhe di si të përdori këto cilësi në ndeshje”.
“Ai ka cilësi vrapuese shumë të mira, di të driblojë, di të kalojë portierin. Edhe pse shumë i ri, ka arritur shumë përpara. Mua më pëlqen Mbappe dhe jam tifoz i tij”.
Me Neymar, Mbappe dhe Messi në të njëjtin ekip, Paris Saint Germain është favoriti për të fituar Ligën e Kampioneve. Por Ronaldo jep shembullin e Real Madridit të Galaktikëve në periudhën e tij.
“Është herët për ta kuptuar kush do të fitojë kupën, situata bëhet më e qartë në çerekfinale. Ekipi francez është favorit, por të flasësh dhe të lozësh janë gjëra të ndryshme. Shumë aspekte ndikojnë në këtë kompeticion”.
“Unë luajta me Real Madridin për 5 sezone së bashku me Figon, Zidane, Bechkam etj. Por edhe pse ishim një ekip me super yje ne nuk fituam asnjëherë Champions. Fituesi nuk është asnjëherë i sigurt. Kjo vlen edhe për PSG”. / oversport.tv