Ronaldo vendos një tjetër rekord, askush si ylli portugez me Kombëtaren

“Nuk i ndjek unë rekordet, janë ato që më ndjekin mua!” Kjo është shprehja e famshme e Cristiano Ronaldos që vazhdon të thyej rekorde në futboll. I fundit është vendosur ditën e sotme, në sfidën kualifikuese përballë Islandës, ku Ronaldo luan si kapiten me Portugalinë e tij.

Në këtë sfidë Cristiano Ronaldo regjistron ndeshjen numër 200 me fanellën e Kombëtares së tij, një shifër që nuk është arritur nga asnjë futbollist tjetër me një ekip Kombëtar.

Ronaldo debutoi me Portugalinë pothuajse 20 vite më parë, në gushtin e vitit 2003 në një miqësore kundër Kazakistanit. Është përballur me 70 Kombëtare të ndryshme dhe nuk ka munguar në asnjë kompeticion të rëndësishëm për Portugalinë. 5 kampionate Europiane, ku arriti të ngrinte titullin në 2016 në Francë. Ka marrë pjesë në 5 Kupa Bote si dhe ka ngritur një trofe të Nations League në 2019. Ronaldo arrin kështu kuotën e 200 ndeshjeve me Kombëtaren e Portugalisë, në 19 vite e 304 ditë që nga debutimi i tij. /oversport.tv

Foto: Portugal, Twitter