Rosberg komenton garën për titull: Lewis ka eksperiencë, Max nuk e ndien presionin

“Lewis e ka kaluar edhe më parë këtë situatë, ka fituar tashmë 7 tituj dhe ka qenë në garën për titull në nëntë apo 10 raste. Për Max-in është hera e parë që ndodhet në këtë pozitë, pak e vështirë, sepse në lojë janë të gjitha ëndrrat e tij”.

Kështu komenton luftën për titullin kampion në Formula 1 mes Hamilton dhe Verstappen në prag të Çmimit të Madh të Meksikës, ish-kampioni i Botës Nico Rosberg, që në vitin 2016 mposhti pikërisht britanikun në betejën për titullin e madh.

“Nuk e di nëse do të të jepet një mundësi tjetër, sidomos pas ndryshimeve të rregullores për sezonin e ardhshëm. Ka shumë gjëra në lojë dhe tashmë gjithë presioni është mbi Verstappen, pasi ai është në një situatë të re. Deri këtu Max-i ia ka dalë shumë mirë. Nuk duket fare që është nën presion, po e menaxhon shkëlqyeshëm këtë situatë”, ka shtuar Rosberg.

“Po bëjnë një betejë kokë më kokë, dy pilotët më të mirë të brezit të tyre dhe janë që të dy në formë të shkëlqyer. Kjo është një sfidë me shumë të panjohura, janë në të njëjtin nivel dhe makinat e tyre gjithashtu.

E rëndësishme është që të mos bëjnë gabime. Kush gabon, do ti bëjë një dhuratë të çmuar tjetrit. Megjithatë unë mendoj se gjithçka do të vendoset në garën e Abu Dhabit”, ka përfunduar ish-kampioni i Botës në Formula 1. / Oversport.tv