Rrahmani ëndërron titullin: Shpresojmë të luftojmë deri në fund

Kush përjashton Napolin nga gara për titullin kampion bën një gabim të madh. Për këtë është i bindur mbrojtësi kosovar Amir Rrahmani, që ka dhënë një intervistë për “Radio Kiss Kiss Napoli”. Ëndrra është që skuadra e tij të mbyllë kampionatit para të gjithë rivalëve.

“Titulli? Është njësoj si vitin e kaluar, duhet ti marrim ndeshjet me radhë. Shpresojmë që në fund të jemi sërish aty lart dhe të luftojmë për titullin kampion”, ka thënë mbrojtësi që sezonin e kaluar shkëlqeu me fanellën e Napolit.

Në mbrojtje ka ardhur koreano-jugori Kim: “Me Kim po flasim dhe mundohemi të përmirësojmë ato që na thotë trajneri. Në Turqi bënte një tjetër stil loje, duhet të mësohet me tonin, por për momentin po merremi vesh mirë. Ishte e rëndësishme të nisnim mirë sezonin, pastaj më pas bëhet më e lehtë.

Duhet të përmirësohemi ndeshje pas ndeshje dhe të mbyllim sezonin siç duhet. Kemi analizuar dy golat e pësuar në Verona dhe e dimë që mund të bënim më mirë. Duhet të bëjmë sa më pak gabime dhe të ndihmojmë shokët”, ka thënë Rrahmani. / Oversport.tv