Rrëfehet Neymar: Katar 2022 mund të jetë Botërori i fundit që luaj

Neymar ka pranuar në një intervistë të dhënë se Katar 2022, do të jetë Botërori i tij i fundit. Braziliani nuk ka arritur të ngrejë trofeun e lakmuar, në dy edicionet e fundit të Kupës së Botës dhe beson se turneu i ardhshëm do të jetë shansi i tij i fundit për të realizuar këtë ëndërr.

“Besoj se turneu i ardhshëm do të jetë hera e fundit që luaj në Kupën e Botës. E shoh si herën e fundit, sepse nuk e di nëse do të kem fuqinë fizike dhe mendore për të vazhduar me futbollin.

Prandaj do të bëj maksimumin që të fitoj këtë trofe me skuadrën kombëtare, të realizoj ëndrrën më të madhe, që kur isha fëmijë. Shpresoj që të arrij ta bëj realitet”, ka thënë sulmuesi i PSG-së, në një dokumentar eksluziv të “DAZN” për të.

Neymar ka luajtur për herë të parë në Kupën e Botës në vitin 2014, kur turneu zhvillohej në vendin e tij. Atëherë ai ishte lideri i Brazilit që synonte trofeun që mungonte që nga viti 2002, por disfata 7-1 përballë Gjermanisë në gjysmëfinale shoi shpresat për titullin.

Katër vite më pas, në Rusi 2018, Brazili i Neymar u eleminua në çerekfinale nga Belgjika. /Oversport.tv