Rrëfimi për Oversport, Demiri: S’e harroj golin e derbit, Partizan kujdes Seferin

Rastësisht hero. Rastësi, jo në kuptimin e lojtarit dosido, por në kuptimin e një futbollisti që bëhet hero duke kaluar pritshmëritë dhe duke qenë surpriza e një derbi. Sepse Ertan Demiri nuk mund të jetë kurrsesi një lojtar rastësor për Partizanin dhe historinë e tij.

Ai ka dhënë gjithmonë shpirtin në fushë kur ka mbajtur veshur fanellën e kuqe dhe ka qenë lideri me shiritin në krah.

Ertan Demiri është heroi i mbrëmjes së 12 tetorit të vitit 2013, kur në “Qemal Stafa” Partizani fitoi derbin ndaj Tiranës dhe ai shënoi golin vendimtar. Një gol që e futi përjetësisht në histori, të një prej sfidave të jashtëzakonshme të futbollit shqiptar. Ai kujdesej më shumë për mbrojtjen sesa për sulmin, por në atë sfidë ishte vendimtar edhe në zonën kundërshtare.

Kanë kaluar 8 vite nga ajo ndeshje, por 42-vjeçari i kujton ato emocione si të kishin ndodhur sot. Ertan Demiri rrëfehet për “OVERSPORT” dhe tregon recetën si të fitosh një derbi. Përtej emocioneve dhe dashurisë për Partizanin, është i ftohtë kur analizon ndeshjen. Paralajmëron “Demat” që të bëjnë kujdes nga Seferi.

Ertan, besoj e kujtoni ndeshjen e 12 tetorit në vitin 2013…

(Mendohet)… Besoj që tani e kuptova se për çfarë e keni fjalën. Ndoshta për derbin e luajtur në atë kohë mes Tiranës dhe Partizanit.

Pikërisht. Ju keni shënuar golin e fitores.

Ai gol më futi në historinë e bukur të klubit të Partizanit dhe jam shumë krenar për këtë.

Ta mendosh që ju nuk shquheni si një lojtar që keni shënuar shumë gola.

Me sa di unë kam shënuar disa, por ndoshta nuk janë evidentuar nëpër statistika. Sidoqoftë kjo nuk ka lidhje. Goli në derbi është nga më të rëndësishmit e karrierës time.

Çfarë emocionesh përjeton kur shënon golin e fitores në një derbi?

E kam thënë disa herë që ai është një nga momentet më të bukura të jetës time. E kujtoj gjithmonë me krenari dhe dëshirë. Pastaj festa me tifozët ishte çmenduri.

Nga ekipi ku luanit ju kanë mbetur vetëm Hoxha dhe Musta. Keni komunikim me ta?

Është edhe Marku. I rikthyen në skuadër dhe më bëhet shumë qejfi për këtë. Janë lojtarë shumë të mirë dhe djem të mrekullueshëm. Jam habitur se si Alban Hoxha nuk u transferua jashtë Shqipërisë sepse e meritonte.

Çfarë ka ndryshe ky Partizan nga ai i atyre viteve?

Shikoni, futbolli ndryshon. Në atë kohë kishim futbollistë të etur për suksese dhe që e respektonin maksimalisht fanellën e kuqe.

Pse tani nuk ndodh kjo?

Nuk dua të them këtë. Por që te gjeneratat e reja kjo gjë ka filluar të zbehet dhe të mos ekzistojë fare.

Meqë jemi tek shokët e asaj skuadre, Mentor Mazrekaj vazhdon të japë leksione në fushë me fanellën e Laçit.

(Qesh). Legjendë e gjallë është. Djalë fantastik dhe lojtar i shkëlqyer.

Rikthehemi te derbi, si përgatitet një ndeshje e tillë?

Derbi është i veçantë për nga aspekti psikologjik. Nuk ka nevojë për motivim. Adrenalina është e madhe dhe duhet të jesh i fokusuar tek elementët taktikë. Shpesh ndodh që një gabim apo një super lëvizje të vendosë derbin.

Partizani ka qenë ekspert në vitet e fundit në derbi, por këtë sezon ende nuk e ka shijuar fitoren e parë në kampionat.

E kam ndjekur me aq sa kam pasur mundësi. Ka shumë ndryshime. Mungesa e Brojës dhe Asanit, por edhe lojtarëve të tjerë e bën këtë Partizan të duket si ekip mesatar.

Do të donit të luanit një tjetër derbi?

Eh. Do të ishte e mrekullueshme të luaja një tjetër sfidë të tillë në karrierë, sidomos tani në “Air Albania” dhe me atë tifozeri të mrekullueshme. Do të ishte bukur nëse në të ardhmen organizohet një ndeshje mes ish-lojtarëve të të dyja skuadrave.

Tani është koha të bëjmë parashikimin.

Derbi nuk mund të parashikohet. Mendoj që Tirana ka ekip më të mirë dhe është në formë. Ndeshjen mund ta vendosë Seferi, i cili po kalon një formë super dhe po jep maksimumin në çdo ndeshje.

Intervistoi: GENTJAN ALINANI