Do të luhet të dielën e 4 qershorit në orën 17:00 në stadiumin “Niko Dovana” finalja e Play Out-it mes Erzenit dhe Korabit, që do të përcaktojë se kush nga këto dy skuadra do të luajë sezonin e ardhshëm në elitën e futbollit shqiptar.
Sipas rregullores së FSHF-së, ndeshja finale e Play Out-it luhet në stadiumin e skuadrës që militon në Superiore, prandaj kjo sfidë luhet në “Niko Dovana” të Durrësit, që këtë sezon ka qenë shtëpia e Erzenit në kampionat. Ky është i vetmi avantazh që ka skuadra që mbyll sezonin në vendin e tetë në renditjen e Superiores në finalen e Play Out-it. Nëse ndeshja përfundon në barazim, shkon në kohën shtesë dhe nëse rezultati është sërish në ekuilibër, janë penalltitë ato që vendosin emrin e skuadrës fituese.
Rregullorja
Erzeni nisi në mënyrë të shkëlqyer sezonin dhe në 2 fazat e para ishte surpriza e bukur e Superiores. Në 2 fazat e mbetura shijakasit humbën shkëlqimin edhe për shkak të mungesave të shumta në formacionin titullar. Gjithsesi Erzeni arriti që të evitojë rënien direkte dhe në këtë finale kërkon që të sigurojë qëndrimin në elitën e futbollit shiqptar.
Në krahun tjetër qëndron Korabi, që mbylli sezonin e rregullt në vendin e 5-të në Kategorinë e Parë. Dibranët shkëlqyen në ndeshjet e Play Off-it, ku eliminuan fillimisht Tomorin dhe më pas Flamurtarin në ndeshjen finale. Mbetet edhe një betejë për Superioren, prandaj Korabi do të bëjë të pamundurën që të mposhtë shijakasit në këtë finale. Kujtojmë që Korabi luajti edhe sezonin e kaluar në finalen e Play Out-it, por nuk arriti që të sigurojë një vend në elitë, pasi u mposht nga Egnatia 2-0.
Finalen e Play Out-it mes Erzenit dhe Korabit mund ta ndiqni live dhe ekskluzivisht në Oversport dhe Tibo. / Oversport.tv