Rummenigge: Interi për titull, Leva meriton “Topin e Artë”! CR7? Ju rrëfej prapaskenën

Karl-Heinz Rummenigge është kthyer të flasë dhe ndalet edhe tek ecuria e Interit ne Seria, një  prapaskenë me CR7 kur ishte pjesë e Juventusit, si dhe për garën e “Topit të Artë”.

“Është interesante të shikosh sa mirë po bën Inter edhe pas largimit të Antonio Contes. Mund ta fitonte derbin, por sezoni është i gjatë”, tha Rummenigge për “La Gazzetta dello Sport”.

Interi mori vetëm një pikë në derbin e së dielës më Milanin, por në syrin e ish-sulmuesit zikaltër kjo skuadër po bën vërtetë shumë mirë. Njëkohësisht ai shton se është e rëndësishme që klubet nga Milano të kthehen si protagoniste.

“Janë larguar shumë përveç Contes, por janë bërë dhe afrime të zgjuara. Ka ardhur në stol Inzaghi. E kam kuptuar që është i mirë që kur Bayerni luajti përballë Lazios së tij në të shkuarën. Vura re sa ndikim ka në lojën e skuadrës”, shtoi ai.

Zikaltrit janë në vendin e tretë me 7 pikë diferencë nga skuadrat e kreut, si Milan dhe Napoli, por Karl mendon se Interi i ka ende mundësitë për të mbrojtur titullin dhe këtë sezon.  “Napoli dhe Milan po ecin me ritme të shpejta, por Interi mund t’ia dalë”.

Në lidhje me Ronaldon dhe “Topin e Artë”, Rummenigge më pas shtoi: “Ai vazhdon të shënojë në mënyrë të vazhdueshme. Njëherë që vizitova qendrën stërvitore të Juventus u impresionova nga muskujt e tij. Ka trupin e një 22-vjeçari.

Po përgatitej për mënyrën si do festonte golin dhe nisëm të qeshnim. Mendoj se u largua nga atje për shkaqe ekonomike të klubit. Topi i artë? Lewandowski e meriton. Në mos ai, njëri prej Bonuccit dhe Chiellinit”. / oversport.tv