Ruud dhe Tsitsipas nuk zhgënjejnë, Europa kryeson 2-0 përballjen me Botën

Ka nisur në Londër turneu “Laver Cup” ku përballen me njëri-tjetrin tenistët më të mirë të Europës dhe lojtarët më të mirë të Botës.

Ndeshjen e parë të turneut e ka fituar skuadra e Europës, pasi Casper Ruud ka mposhtur 2-1 Jack Sock. Finalisti i US Open vuan përballë amerikanit, por arrin që të fitojë 10-7 setin e tretë (një super tie-break kush shkon i pari 10 pikë).

Në ndeshjen e dytë të ditës Tsitsipas ka mposhtur lehtësisht Schwartzman 2-0. Greku dominon të gjithë ndeshjen dhe fiton të dy setet bindshëm 6-2, 6-1.

Skuadra e Europës kryeson 2-0 përballë skuadrës së Botës, ndërsa në mbrëmje në orën 22:00 do të luhet sfida dyshe, ku Federer do të zhvillojë ndeshjen e fundit në karrierë në krah të rivalit dhe mikut Nadal përballë dyshes Sock-Tiafoe. / Oversport.tv

Foto: Laver Cup Twitter