Pas një pritjeje të gjatë, rikthehen të luajnë mes më të mirave të futbollit shqiptar Dinamo dhe Egnatia, të cilat do të bëjnë debutimin e tyre sot në “Abissnet Superiore” në takimet përmbyllëse të javës së parë të kampionatit.
9 vite qëndruan larg elitës së futbolllit blutë e kryqytetit, që rikthehen mes më të mirave të Shqipërisë me ambicje të mëdha këtë sezon. Skuadra ka ndryshuar totalisht, që nga presidenca, tekniku dhe lojtarët.
Trajnerit Blendi Shkëmbi i është besuar projekti për të rikthyer Dinamon në majat e futbollit vendas. Investimet në merkato kanë qënë të mëdha, duke afruar shumë lojtarë me eksperiencë dhe të rinj premtues.
Redon Mihana, Mario Gjata, Agim Ibrahimi, Lancinet Sidibe, Eni Imami dhe Xhulio Skuka janë vetëm disa nga emrat që do të përfaqësojnë blutë këtë sezon.
Debutimin në Superiore kryeqytetasit do ta bëjnë sot në 13.45 në Kamëz përballë Kastriotit. Krutanët, që kanë periferinë e Tiranës si shtëpinë e tyre, kanë ndryshuar shumë në krahasim me sezonin e kaluar dhe këtë vit synojnë që të sigurojnë sa më shpejt mbijetesën.
Në ndeshjen tjetër të ditës Egnatia do të presë në shtëpi Kukësin në po të njëjtën orë. Rrogozhinasit rikthehen pas 16 vitesh në Superiore dhe ashtu si Dinamo kanë bërë investime të mëdha për të përballuar me sukses elitën e futbollit shqiptar.
Magani ka një skuadër kompetitive, por rikonstruksioni i stadiumit mund të quhet investimi më me vlera për Egnatian. Në krahun tjetër qëndron Kukësi, që pretendon majat e renditjes. Tekniku Longo ka në dispozicion një organikë kompetitive për të plotësuar synimet e klubit. /Oversport.tv