Sadiku për Oversport: Sylvinho do sjellë energji të re, synoj rikthimin në ekipin kombëtar

Sulmuesi Armando Sadiku, që aktualisht aktivizohet me Cartagena në ligën e dytë spanjolle ka folur në emisionin “Ti Bo Gol” në Oversport. Sulmuesi është paraqitur shumë mirë në Spanjë (ka shënuar 7 gola) dhe pret me padurim një ftesë nga Sylvinho për tu rikthyer në kombëtaren kuqezi.

“Trajneri i ri i kombëtares? Mendoj që do të sjellë frymë dhe energji të re në ekipin kombëtar. Kam luajtur në Amerikën Latine e njoh kulturën e tyre dhe mendoj që do të sjellë një energji pozitive në ekip.

Marrëdhënia me Rejën? Fillimisht u grumbullova, por më pas nuk u thirra më në kombëtare. Mendoj që gjatë gjithë kohës ideja e tij ka qenë që unë jam një lojtar individualist dhe nuk bëja pjesë në planet e tij. E prisnit një ftesë nga kombëtarja? Po jam paraqitur mirë në Spanjë, jam në formë dhe e prisja një grumbullim. Tani që është ndryshuar trajneri mendoj që do të kem edhe unë mundëinë time për tu rikthyer në ekipin kombëtar.

Objektivi im është që të jap maksimumin te Cartagena, shpresoj që trajneri të vij të më shohë, sepse jam në formë shumë të mirë dhe shpresoj që të rikthehem në ekipin kombëtar. Besoj që trajneri i ri do të sjellë një energji të re në ekip dhe mendoj që do të krijojë një atmosferë shumë të mirë në skuadrën kombëtare. I respektoj vendimet e trajnerit, nuk kam folur kundër Rejës. Punoj çdo ditë, jap maksimumin që të rikthehem në kombëtare.

Zabaleta do shohë legjionarët në Spanjë? Shpresoj që të vijë të më shohë dhe më pas trajneri të vendosë. Rivaliteti me Uzunin? Flasim shpesh. Ai po kalon një formë shumë të mirë. Granada është një ekip i mirë. Jam shumë i kënaqur për të dhe shpresoj që të vazhdojmë rivalitetin për golashënuesin më të mirë të kampionatit.

Merkato? Kam pasur një ofertë në Japoni, por presidenti nuk e pranoi, por edhe unë nuk kam ndërmend të largohem. Këtu ndihem mirë, po luaj dhe shpresoj të shënoj sa më shumë gola. Ëndërroj që të ngjitem në LaLiga me Cartagenën”, ka thënë mes të tjerash sulmuesi kuqezi Armando Sadiku. / Oversport.tv