Sadriu: Fitoret e Laçit nuk na frikësojnë, duam të marrim maksimumin

Bashkë me trajnerin Memelli në konferencë ka dalë edhe Leard Sadriu. Këto janë fjalët e mbrojtësit për ndeshjen kundër Laçit.

“Besoj se jemi të gatshëm si unë edhe i gjithë ekipi. Kemi punuar intensivisht ditët e fundit në stërvitje dhe besoj se i gjithë ekipi që do të jemi në dispozicion do të jemi të gatshëm”.

MUNGESAT- “Nuk mund të themi se ka shumë mungesa, por janë dy lojtarë kyç të formacionit që do të mungojnë këtë ndeshje. Megjithatë, edhe ata që do të inkuadrohen në vend të tyre do të bëjnë një punë mjaft të mirë dhe nuk do të vihen re mungesat në fushë”.

MERKATO- “Ka pas disa ardhje, nuk ka qenë shumë aktive, por mendoj se jemi një grup i shëndoshë, një grup mjaft i mirë. Jemi të vjetër, kemi rreth një vit që jemi bashkë. Njihemi me njëri tjetrin dhe besoj se atë punë e di vetë trajneri”.

SFIDA NDAJ LAÇIT- “Çdo ndeshje është njësoj pasi na duhen pikët. Duke marrë parasysh edhe ecurinë e laçit që ka pesë fitore, nuk na frikëson aspak, por na motivon që të marrim maksimumin në këtë ndeshje”.

MBIJETESA- “Mendoj se ne si ekip nuk duhet ta diskutojmë mbijetesën pasi edhe këtë gjysmë sezoni kemi treguar se kemi bërë një lojë mjaft të mirë. Kemi pasur një mungesë të fatit. Diferencat me pikë në pesë vendet e fundit është shumë e vogël dhe me një fitore mund të shkëputesh. Shpresoj ta bëjmë këtë shkëputje që në ndeshjet e para dhe të ikim nga zona e ftohtë”. /oversport.tv