Safet Gjici në “TI BO GOL”: Kemi lojtarë që bëjnë diferencën, për titullin do të flasim më vonë

Në prag të sfidës Kukësi-Tirana, ka qenë i pranishëm për të dhënë përshtypjet edhe presidenti i Kukësit Safet Gjici. I ftuar në emisionin Ti Bo Gol, numri 1 i Kukësit dha opinionin e tij për këtë start sezoni.

“Është e vërtetë, emocioni është i madh sepse e hapim sezonin me ekipin kampion në fuqi në stadiumin tonë që është me standarde të larta. Është periudhë pushimesh dhe nuk e di sa tifozë do të jenë, por shpresojmë ta nisim mbarë sezonin dhe i uroj suksese ekipeve të tjera.

Dua të them që jam i gëzuar, por njëkohësisht kemi edhe emocione sepse pas 4 sezonesh kthehemi në shtëpinë tonë dhe tifozi duhet të jetë një mbështetje për Kukësin.”

TIFOZËT DHE SKËNDER GEGA- “Lojtari i 12-të është shumë i rëndësishëm. Kukësi para 4 sezonesh ka pasur shumë tifozë, fituam kampionatin, kupën dhe kishim pjesëmarrje në kupat e Europës.

Skënder Gega është një trajner i madh, besoj do të bëjë mirë, njësoj si me Partizanin ku u shpall kampion. Superliga është fuqizuar dhe të gjitha ekipet luftojnë shumë. Shpresoj që në fund të realizojmë objektivat, por t’i marrim ndeshjet një nga një. Uroj të fitojë Kukësi, por e rëndësishme është të luajmë futboll.”

TITULLI KAMPION- “Kukësin do ta shohim në fushën e blertë. Të shohim si Gega dhe stafi ka krijuar ekipin dhe më pas të shohim nëse është për kampionat apo jo. Megjithatë, besoj se me blerjet që janë bërë, ka lojtarë që do të bëjnë diferencën, por të shohim.”

NDRYSHIMET E SHUMTA NË SKUADËR- “Kukësi gjithmonë ka pasur ndryshime, por ndryshimet e dy viteve të fundit kanë qenë të mëdha për shkak të rezultateve. Shumica e lojtarëve tani janë me kontrata 2-3 vjeçare dhe besoj se në vazhdim nuk do të ketë shumë ndryshime. E dimë që nuk është mirë të ndryshohet çdo vit skuadra. Gjithsesi sivjet ne kemi lojtarë me kontrata 2-3 vjeçare dhe ndërhyrjet do të jenë më të pakta.” /oversport.tv