Salah: Dua të mbyll karrierën tek Liverpooli, por nuk varet vetëm nga unë

“Do të më pëlqente të qëndroja tek Liverpooli deri në ditën e fundit të karrierës, por e ardhmja ime nuk varet vetëm nga unë”. Këto janë fjalët e Mohamed Salah për “Sky Sports”.

Sulmuesi egjiptian shpjegon qëllimet e tij, por thekson se e ardhmja e tij “varet nga klubi, për momentin nuk e shoh veten që të luaj kundër Liverpoolit, do të mërzitesha shumë. Por, të shohim se çfarë do të ndodhë në të ardhmen”.

Në verë klubi anglez rinovoi kontratat e Henderson, Alisson dhe Van Dijk, ndërsa për të diskutuar për kontratën e re të Salah (aktualja skadon në qershor të vitit 2023) nuk janë fiksuar akoma takime me përfaqësuesit e lojtarit.

Kjo gjë duket se nuk ndikon në rendimentin e sulmuesit, që në mesjavë u bë lojtari i parë në historinë e Liverpoolit që shënon në 9 ndeshje radhazi. Salah ka shënuar 12 gola në 11 ndeshje të zhvilluara këtë sezon, ndërsa në total ka shënuar 137 gola në 214 ndeshje të luajtura me “të kuqtë”.

Këto shifra kanë bërë që trajneri Jurgen Klopp ta zgjedhë si lojtarin  më të mirë në Botë. “Më bëhet qejfi, por mendoj se është vetën një opinion. Nuk mund të them se jam lojtari më i mirë në botë, por nuk e mohoj se dua të bëhem.

Jam shumë i kënaqur me paraqitjet e mia dhe po punoj që të përmirësohem akoma më shumë”, ka përfunduar Salah. /Oversport.tv