Sarri: Ekipi nuk i ka kuptuar ende idetë e mia, Cagliari duhet pasur kujdes

Lazio u mposht nga Milani dhe më pas edhe nga Galatasaray në Europa League, ndërkohë që tani kërkon të reagojë kundër Cagliari në Serie A. Trajneri Maurizio Sarri ka folur në prag të duelit ndaj skuadrës nga Sardenja dhe kërkon vlerësim maksimal.

“Do të jetë një ndeshje e vështirë, pasi Cagliari është një skuadër më e mirë se sa thonë rezultatet. Ata ndryshuan trajner dhe mund të ketë edhe një reagim emocional të ekipit, ndaj nuk presim të jetë e lehtë.

Humbëm kundër Galatasaray për shkak të gabimeve teknike, nga gabimet e portierit dhe sulmit që nuk shfrytëzoi rastet për gol. U paraqitëm më mirë se kundërshtari në 20 minutat e para dhe shfaqëm karakter”, tha fillimisht Sarri.

Më tej ai shton: “Kam parë përparim gjigant në skuadër në aspektin taktik. Duhet të shkojmë në udhëtim, ku gjithçka ndryshon dhe gradualisht të përshtatemi me mënyrën e re të të menduari.

Djemtë po punojnë fort, edhe pse ende nuk i kanë kuptuar plotësisht idetë e mia. Nuk është se kam nevojë për mbështetje nga klubi në këto momente”. / oversport.tv