Sarri: Jam i acaruar për derbin, dua reagim dhe krenari nga skuadra

Maurizio Sarri ka folur në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes kundër Sassulos, që do të luhet nesër në orën 18:00 në “Olimpico” dhe do të transmetohet live dhe ekskluzivisht në Oversport dhe Tibo.

“Djemtë u kthyen mbrëmë nga kombëtaret dhe kemi bërë vetëm një seancë stërvitore. Nuk mund ti gjeja në formën optimale, sepse derbi ka lenë pasoja, që duhet ti kthejmë në energji pozitive përballë Sassuolos, një prej skuadrave më të mira të Italisë.

Pretendoj një fund sezoni të mirë nga të gjithë. Derbi harrohet vetëm nëse mbyllim në mënyrë të shkëlqyer sezonin. Nga ana karakteriale, dua ta shoh skuadrën shumë lart”, ka thënë tekniku i Lazios.

“Lotiton e kam takuar dje dhe kemi folur para të gjithë lojtarëve. Bëmë një derbi të pashpjegueshëm, jo për rezultatin, por për sjelljen në fushë. Pas një minute u duk sikur ndeshja mbaroi. Mund të humbasësh, por unë jam i acaruar me lojtarët dhe veten. Dua të shoh krenari dhe reagim.

E ardhmja? Për mua është Sassuolo. Lojtarët do të japin maksimumin deri në fund të kampionatit, duhet të kemi vazhdimësi në rezultate.

Immobile? Kam folur me Ciron duke i thënë atë që mendoj, sepse po shihet si e keqja e kombëtares. Duhet të përqendrohet te Lazio, unë kam shumë besim te ai”, ka thënë Sarri duke komentuar momentin e skuadrës. / Oversport.tv

Foto: S.S. Lazio Facebook