Sarri kërkon vazhdimësi: Marseille ekip cilësor, nuk është vetëm Milik

Objektivi i Lazios është i qartë: t’i japë vazhdimësi rezultateve pozitive. Pas fitores së bukur përballë Interit në kampionat, bardhekaltërit kërkojnë një tjetër sukses këtë radhë përballë Olympique Marseille në Europa League.

Në një konferencë për shtyp, Maurizio Sarri ka analizuar ndeshjen kundër francezëve dhe ka prekur edhe disa tema të tjera: “Me kalendarin aktual, Europa League është kthyer në një turne që nuk duhet bërë.

Nuk ekziston mundësia që të luash të hënën në kampionat dhe bëhet shumë e vështirë. Ndryshon situata për këtë ndeshje, pasi luajtëm të shtunën. Më shqetëson Milik, por edhe e gjithë Marseille.

Luajnë një futboll taktik dhe kanë cilësi. Po flasim për një ndeshje të nivelit të lartë dhe shumë impenjative.

Immobile? Është një lojtar me shumë rëndësi në skuadër, sa që është e vështirë ta administrosh. Të shohim me radhë reagimin e djaloshit, është goxha mirë, por janë edhe 7 ndeshje për tu luajtur në 20 ditë”. /Oversport.tv