Sarri kritika lojtarëve: Doni “kokën” time? Nuk fitohet vetëm me emër

Kriza e rezultateve ka rikthyer Lazion në grumbullim, gjë që nuk ndodhte që nga 3 dhjetori i vitit 2018, edhe atëherë vendimi u mor pas një humbjeje në “Bentegodi”, por atëherë ishte Chievo, ndërsa tani Verona, skuadra që hap diskutime të mëdha në kampin bardhekaltër.

Janë 17 golat e pësuar në 9 javë kampionat, gjë që ka ndodhur për herë të fundit në sezonin 1983/1984. “Më vjen turp, kështu nuk mund të vazhdohet: fitoni nëse impenjoheni dhe jo sepse quheni Lazio. Mbi të gjitha është çështje mentaliteti”, këto janë fjalët e Sarrit në drejtim të skuadrës në dhomat e zhveshjes pas disfatës 4-1 (sipas asaj që raporton “Il Messaggero”).

Gjatë javës trajneri kishte punuar individualisht me lojtarët, për ti qetësuar emocionalisht, madje kishte mbledhur gjithë skuadrën dhe i kishte pyetur nëse donin “kokën” e tij.

Por, tashmë iku koha e kujdesit dhe erdhi koha e “shkopit”: “Nëse luani kështu, do të thotë se nuk po i kuptoni idetë e mira, le të shihemi në sy dhe ta zgjidhim këtë problem”, pas këtyre fjalëve, u vendos që skuadra të izolohej dhe të shkonte në grumbullim. / Oversport.tv