Maurizio Sarri është gati për të luajtur derbin e tij të parë të kryeqytetit. Ndoshta pritej një fillim më i mirë i skuadrës bardhekaltër në këtë fillim sezoni, por duhet kohë dhe durim për të parë shenjën e tij tek Lazio.
Në një konferencë për shtyp, në prag të sfidës kundër Romës, tekniku ka folur për ndeshjen dhe gjendjen e skuadrës: “Nëse bëjmë një paraqitje të mirë, kemi më shumë mundësi për të arritur një rezultat pozitiv. Roma është një skuadër e fortë dhe na motivon akoma më shumë në prag të kësaj sfide.
Ky është një nga derbet më të rëndësishme të Europës, është një nder ta luash. Të gjithë, që fëmijë, duke dëgjuar radion, ëndërronim ta luanim këtë sfidë. Ka ardhur koha ta shijojmë.
Është normale që pasi humb një ndeshje të ketë reagime. Lazio nuk është shuar gjatë stërvitjeve, është e gjallë dhe po stërvitet fort. Ka diçka që na pengon të shprehemi 100%.
Duhet të përmirësohemi në çdo aspekt. Është futboll i vërtetë, nuk është Play Station, por shpresoj që të kalojmë këto vështirësi sa më shpejt që të jetë e mundur”-ka përfunduar trajneri i Lazios, Maurizio Sarri. /Oversport.tv