Sarri: Nuk ka si Napoli në Serie A, Lazio ime “fiket” çdo 4-5 ndeshje

Maurizio Sarri, trajneri i Lazios, pas ndeshjes që humbi dje në Napoli ishte i zhgënjyer me lojën e skuadrës së tij. Italiani theksoi se herë pas here skuadra e tij “fiket” dhe kjo situatë duhet të ndryshojë. Sigurisht ai foli edhe për rikthimin në Napoli, ku ai ka punuar për disa vite dhe i është afruar shumë titullit kampion.

“Skuadra kishte bërë hapa përpara, por na ndodh shpesh që pas çdo katër a pesë ndeshjesh e kemi një paraqitje të tillë. Defektet ishin edhe më të dukshme prej ndeshjes fantastike që bëri Napoli. Për mendimin tim janë skuadra më e mirë për momentin në Serie A”, tha Sarri për DAZN.

“Nuk ishte sjellja e duhur nga ana jonë. Pësuam dy gola në 10 minutat e para dhe më pas ishte edhe më e vështirë. Nëse e bën presing dhe e lë në gjysmë të rrugës, siç bëmë gjatë gjithë ndeshjes, natyrisht që do të shkojë kështu kur luan ndaj një ekipi që ka pasues shumë të mirë. Gjithmonë kemi bërë presing me kohë vonesë dhe jo si ekip. Më pas nisëm të bënim edhe gabime individuale”.

“Të luash çdo tre ditë është e vështirë, por nuk mund të pranohet të shkosh nga 10 te 1-shi për nga intensiteti nga një ndeshje në tjetrën. Na duhet të kuptojmë nga se vijnë luhatjet tona dhe të përpiqemi ta rregullojmë këtë. Nuk është e lehtë. Prisja gjithçka, përveç kësaj paraqitjeje që kemi bërë. Problemi është se skuadra ‘fiket’ ndonjëherë”.

“Anderson dobët? Felipe është një figurë delikate. Kur ai fiket, e bën plotësisht. Kur ndizet është fantastik. Në këtë moment është në një fazë në rënie, por kjo ka qenë gjithmonë tendenca e tij. Po përpiqemi ta bëjmë më pak të paparashikueshëm, por është një rrugëtim që duhet të vazhdojë. Do të duhet pak kohë”.

“Rikthimi në Napoli? U përpoqa të qëndroja sa më i qetë. Erdha këtu dy vite më parë dhe isha i stresuar emocionalisht. Natyrisht zemra ime është në këtë qytet. Më pëlqen dhe i dua napolitanët. Kurrë nuk do të jetë një vizitë normale për mua në këtë qytet”. / oversport.tv