Sassuolo likuidon me poker Spezian, Berardi bëhet “Mr. 100”

Sassuolo ka likuiduar skuadrën e Spezia me rezultatin 4-1 dhe tani shikon edhe në zonën e Europës, me shpresën se rivalët do të ngecin në vijim. Berardi sërish ishte protagonist për skuadrën e tij, duke realizuar dy prej golave në ndeshjen numër 300 në Serie A.

Sassuolo e nisi mjaft mirë ndeshjen dhe pas çerek ore lojë fitoi një penallti për shkak një faulli të Kovalenko. Domenico Berardi nuk fali dhe kaloi skuadrën e tij në epërsi.

Pesë minuta më pas kishte mundësinë të realizonte edhe golin e dytë, por Fratessi i vetëm me portierin goditi lehtë dhe humbi një rast të artë. Spezia nga ana tjetër nuk qëndroi duarkryq.

Daniele Verde vendosi baraspeshën me një goditje mjeshtërore në hyrje të zonës.  Sassuolo, pavarësisht përpjekjeve, në 45 minutat e para nuk shënoi dot.

Gjithsesi festa nuk vonoi, pasi pjesa e dytë nisi me një gol të të zakonshmit Berardi, i cili shkoi në kuotën e 100 golave në Serie A. Sassuolo fitoi qetësinë në minutën e 78-të, kur Ayhan realizoi edhe golin e tretë pak minuta pasi Manaj ishet aktivizuar për Spezian.

Nuk mungoi  në festë Scamacca, i cili shënoi me një goditje dënimi golin e katërt për skuadrën e Sassuolo. Kjo nuk e ndali ekipin vendas të kërkonte edhe një tjetër gol, por Maxi Lopez u ndal nga portieri i Spezia. Në fund gjithçka përfundoi 4-1 në favor të skuadrës së Dionisi. / oversport.tv

Foto: U.S. Sassuolo, Twitter