Scamacca i shkel syrin klubit të Serie A: Atje është shtëpia ime

“Nostalgji kam pasur gjithmonë dhe do të vazhdoj të kem. Por… nëse do të kthehem në Serie A, nuk do të jetë sepse kam dështuar në Angli”, kështu shprehet Gianluca Scamacca në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”. Sumuesi italian që është në qendër të merkatos shpreh ndjenja dashurie për Romën dhe nuk e përjashton një transferim nën urdhrat e Mourinhos.

“Për fillimin e kampionatit do jem në formën time më të mirë. Nëse do të jem mirë do të shënoj 20 gola”, shprehet Scamacca që u kthye pas një dëmtimi të gjatë. Më pas ai flet për Romën, ku mund të jetë zëvendësuesi i të dëmtuarit Abraham.

“Unë gjithmonë i kam bërë zgjedhjet me zemër dhe do të vazhdoj ta bëj këtë gjë edhe në të ardhmen. Të gjithë e dinë kush janë dy ngjyrat e zemrës time. Por për momentin unë jam një lojtar i West Ham, dhe pavarësisht zërave, edhe këtu ndihem mirë. Megjithatë, për mua Roma është shtëpi”, tha ndër të tjera Scamacca që i shkel syrin klubit kryeqytetas. /oversport.tv

Foto: West Ham United, Facebook