Sekretet e Olivier Giroud, besimtarit që shënon dhe feston si 20-vjeçar

Tifozët e adhurojnë dhe jo sepse shënon. Kështu do të ishte shumë e lehtë: Dopietë në derbi dhe goli i fitores në Napoli. Por jo, e adhurojnë sepse Olivier Giroud është një lojtar që iu qëndron afër njerëzve, një nga ata që nuk të surprizon nëse e sheh në tribunë duke bërë tifo.

Kur Olivier feston, e bën edhe për njerëzit. Shkon tek ata, i thërret, i përqafon dhe përplas duart në stemën e fanellës. Pastaj qëndron në fundin e ndeshjes për të festuar sërish me tifozët përpara se të futet në dhomat e zhveshjes.

Kjo është e bukura e një personi që është 35 vjeç dhe ka fituar gjithçka në karrierën e tij, duke shënuar 250 gola. Ka fituar një Botëror dhe një Champions, por i jeton momentet e krenarisë me entuziazmin e një 20-vjeçari. Është një person që luan dhe shënon me buzëqeshje.

Po ndan vendin e titullarit me Ibrahimovic, por nuk bën kurrë polemika. Suedezi po rikthehet, por dopieta në derbi dhe goli në Napoli e rendisin atë përpara në hierarki.

Francezi nuk erdhi në Itali për të mbyllur karrierën, por sepse është i lidhur me këtë vend. Gjyshet e tij janë italiane, njëra nga Bergamo dhe tjetra nga Trieste. Ka zgjedhur Milanon për të vazhduar në elitë dhe për t’u ndier si në shtëpi. “San Siro” është shtëpia e tij, sepse të gjithë golat i kishte shënuar aty përpara atij me Napolin.

Ka një familje të madhe, 2 vajza dhe 2 djem: Zhade, Aria, Aron dhe Evan. Olivie është nga ata baballarë që e çojnë vajzën e tij të luajë futboll.

Familjar, profesionist dhe besimtar. Në trupin e tij ka shumë tatuazhe dedikuar Zotit, ndërsa 1 herë në javë komunikon me një Pastor në Londër. Sytë e tij janë drejtuar nga tifozët, ndërsa sytë e tifozëve nga ai. Kjo mes tyre, nuk ishte një dashuri me shikim të parë, por pak rëndësi ka… / oversport.tv