Selmani fundos Dinamon, finalen e mbijetesës e fiton Kastrioti

Finalen e mbijetesës e fiton Kastrioti. Falë golit të Adolf Selmani, krutanët arritën të merrnin një fitore minimale 1-0 në “Elbasan Arena” duke i “shkatërruar” shpresat e Dinamos për të qëndruar në Superiore. Nga ana tjetër, këto janë tre pikë shumë të rëndësishme për Kastriotin në luftën për mbijetesë.

Dinamo e kërkoi golin që në fillimin e takimit dhe i shkoi shumë pranë me Rimal Haxhiun. Ai nuk shfrytëzoi dot një shans të artë me portën e boshatisur, pas gabimit të Karakaçit. Ky i fundit ndali edhe topin duke u transformuar në portier me lëvizjen e tij.

Më pas minutat e mbetura në pjesën e parë nuk prodhuan shumë raste me ekipet që shkuan drejt dhomave të zhveshjes në një barazim të bardhë.

Me fillimin e pjesës së dytë, Dinamo ishte shumë kërkuese ndaj gjyqtarit fillimisht për një karton të kuq, e më pas për një 11-metërsh pas një ndërhyrjeje të gabuar në dëm të Haxhiut. Megjithatë, për gjyqtarin e takimit, gjithçka ishte e rregullt.

Atëherë kur nuk pritej, me goditjen e parë në portë, Kastrioti arriti të prishte edhe ekuilibrat e këtij takimi. Pas një rrëmuje në zonën e Dinamos, Selmani lëshoi një goditje të lehtë drejt kuadratit, i cili përfundoi në rrjetë duke e çuar takimin në 1-0.

Në minutat e tjera të mbetura, Dinamo u hodh në sulm për të dalë të paktën me një pik nga ky takim, por në asnjë rast lojtarët nuk u treguan të qartë. Gjithçka u bë edhe më e vështirë pas ndëshkimit me karton të kuq të Sidibe në minutat shtesë të takimit.

Kështu Kastrioti doli me pikë të plota nga fusha e “Elbasan Arena”, pikë këto shumë të rëndësishme në luftën për mbijetesë.

Nga ana tjetër, shanset e Dinamos për të qëndruar në elitën e futbollit shqiptar po veniten pas çdo ndeshjeje, me mbijetesën që duket si një objektiv i pamundur. Ekipi kryeqytetas qëndron në vendin e parafundit në kuotën e 23 pikëve. /oversport.tv