Senegali likuidon Burkina Faso, kualifikohet sërish në finalen e Kupës së Afrikës

Senegali sërish në finalen e Kupës së Afrikës, pasi ka mposhtur me rezultatin 3-1 skuadrën e Burkina Faso dhe tani pret duelin mes Egjiptit dhe Kamerunit, për të mësuar ekipin rival për trofeun.

Në finalen e vitit 2019 Senegali u mposht 0-1 nga Algjeria, por këtë herë do bëjë çmos që të fitojë për herë të parë Kupën e Afrikës, pasi ka dështuar në vitin 2002 ndaj Kamerunit.

Duelin e sotëm e vendosën Diallo dhe Gueye. I pari realizoi pas një goditjeje këndi, që u shoqërua me një rrëmujë në zonë. Mbrojtësi i PSG nuk fali dhe e çoi topin në rrjetë.

Festë te Senegali, që pas gjashtë minutash realizoi edhe golin e dytë. Sërish një lojtar i PSG, Idrissa Gueye, që shënon në portën e Burkina Faso. Këta të fundit nuk u dorëzuan dhe e hapën ndeshjen me golin e Toure.

Pesë minuta zgjati shpresa për ta, pasi Sadio Mane shënoi edhe golin e tretë për Senegalin që nisi festën e kalimit në finalet e Kupës së Afrikës.

Gjysmëfinalja tjetër luhet nesër prej orës 20:00. Kameruni, që e ka fituar 5 herë Kupën e Afrikës, përballet me rekordmenët e këtij kompeticioni, pasi Egjipti e ka ngritur këtë trofe 7 herë.

KUPA E AFRIKËS – GJYSMËFINALET
Burkina Faso-Senegal 1-3
Shënues:
Toure 82’ / Diallo 70’, Gueye 76’, Mane 87’

/ oversport.tv